Rezolutë e Kongresit të Tretë të KSSH-së
Për zgjerimin e angazhimit të strukturave të KSSH
për eliminimin e punës së fëmijëve
- Kongresi vlerëson punën e deritanishme në lidhje me përfshirjen dhe angazhimin e strukturave të KSSH-së për mbrojtjen e fëmijëve dhe parandalimin e punës së tyre, dhe ngarkon këshillin drejtues dhe kryesinë e saj që të zgjerojnë angazhimin e tyre, sidomos në drejtim të trajnimit të drejtuesve sindikalistë në nivel qendror e lokal, me qëllim që ata vetë të njohin standardet ndërkombëtare në lidhje me punën e fëmijëve dhe të punojnë për të zgjeruar rrjetin e drejtuesve sindikalistë qe mund të merren me këtë çështje.
- Kryesia dhe komiteti ekzekutiv i KSSH-së të forcojnë bashkëpunimin me ILO-IPEC në Tiranë, me qellim që strukturat e saj dhe të federatave në përbërje të saj, në qendër e në nivel lokal, të përfshihen në veprimtaritë e organizuara në kuadrin e projekteve për luftën kundër punës së fëmijëve ose e zbatojnë vetë projekte në këtë fushë, duke ndërmarrë veprime konkrete me synim uljen e numrit të fëmijëve që punojnë.
- KSSH të zbatojë projekte në bashkëpunim me ICFTU dhe me organizatat sindikale simotra, me synim ngritjen dhe funksionimin e strukturave të posaçme dhe angazhimin në veprimtari konkrete për parandalimin e punës së fëmijëve,
- Të zgjerohet më tej bashkëpunimi me organizatat jofitimprurese, OJF, shqiptare që janë të angazhuara në këtë fushë dhe të punohet për një bashkëpunim të mëtejshëm me komunitetin, organet e pushtetit vendor dhe vetë nxënësit e fëmijët për të krijuar një front të përbashkët kundër punës së fëmijëve.
- Të sigurohet një bashkëpunim më i mirë me qendrën e trajnimit dhe Studimeve sindikale për organizimin e seminareve dhe trajtimin e temave të mbrojtjes së fëmijëve dhe eliminimit të punës së tyre me drejtuesit sindikalistë, si edhe për ndërmarrjen e studimeve e vëzhgimeve në lidhje me punën e fëmijëve, shkaqet, drejtimet e punës për reduktimin e saj, përmirësimet ligjore etj., përfundimet e të cilave të shërbejnë si bazë për veprime konkrete të strukturave sindikale në qendër e në nivel lokal.
- Të ndikohet në Këshillin Kombëtar të Punës, me synim që të analizohet problemi i punës së fëmijëve dhe të merren vendime në lidhje me angazhimin e strukturave qeveritare qendrore e lokale për reduktimin e saj, sidomos nëpërmjet forcimit të inspektoriatit të punës dhe ndihmës për familjet me probleme, që, për shkak të mbijetesës, i largojnë fëmijët nga shkolla dhe i detyrojnë të punojnë.
- Gjatë negocimeve që do të bëhen nga federatat në përbërje të KSSH-së për kontratat e reja kolektive të punës, të përfshihen edhe problemet që lidhen me parandalimin e punës së fëmijëve, sipas pikave që përfshihen edhe në këtë rezolutë.
|